Dual

Përfundoi punëtoria e dytë ndërkombëtare “Dual Curricula – Study and Work Practice in Agriculture and Food Safety”

Në ditën e tretë dhe të fundit të “2nd International Workshop” në kuadër të projektit DualAFS, që u mbajt në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, pjesëmarrësit vizituan verarinë “Stone Castle” në Rahovec. Në këtë vizitë studimore u vizituan laboratori, procesi i filtrimit dhe linja teknologjike e mbushjes dhe paketimit të verës.  Për historikun, procesin e prodhimit, eksportin  dhe investimet që janë bërë në kompani, pjesëmarrësit i njoftoi inxhinieri, Fejzullah Berisha.

Një aktivitet tjetër ishte edhe punëtoria për zhvillimin dhe avancimin e kurrikulave të orientuara drejt praktikës në universitetet partnerë nga Shqipëria dhe Kosova. Kurrikula duale janë hartuar në Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe Universitetin “Fan Noli” Korçë, ndërsa Universiteti “Isa Boletini” Mitrovicë dhe Universiteti i Prishtinë “Hasan Prishtina” kanë avansuar pjesën praktike të kurrikulave aktuale.

Pjesëmarrës në këtë punëtori, përveç atyre nga Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore në UIBM, kanë qenë edhe përfaqësues të universiteteve partnere në këtë projekt: Universiteti “Nuertingen-Geiingen” nga Gjermania, i cili është partner udhëheqës, Universiteti “Savonia” nga Finlanda, Universiteti Bujqësor i Tiranës dhe Universiteti “Fan S. Noli” i Korçës, nga Shqipëria, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Ndryshe, projekti “DualAFS” synon zhvillimin e njohurive të studentëve dhe punësimin e të diplomuarve , po ashtu përmirësimin e konkurrencës në shkencat e bujqësisë dhe blegtorisë, përpunimit të ushqimit dhe përmirësimin e konkurrencës së bizneseve dhe përfituesve të tjerë në bujqësi e blegtori dhe cilësinë e sigurinë e produkteve ushqimore me prejardhje shtazore.