Jurri

Në Fakultetin Juridik u mbajt ligjëratë e hapur me prof.asoc.dr. Fejzulla Berisha

Për studentët e vitit të parë, te Fakultetit Juridik, të UIBM -it, që janë duke vijuar ligjëratat në lëndën “Fillet e së drejtës”, menaxhmenti i këtij Fakulteti realizoi një ligjëratë në bashkëpunim mes të prof. asoc. dr. Islam Qerimi dhe prof. asoc. dr. Fejzulla Berisha, me temë : “Nocioni i shtetit dhe i së drejtës“!

Kjo ligjëratë zgjoi vëmendje te veçantë tek të pranishmit, pasi që ajo u kombinua me sukses përmes paraqitjes së shembujve konkret, në lidhje me nocionin e shtetit dhe të drejtën, me fokusim në Republikën e Kosovës. Eksperienca dhe performanca prej katër dekadash e profesorit Berisha në mësimdhënie në fushën e të drejtës publike: kushtetuese dhe administrative, u dëshmua realisht edhe kësaj radhe, meqenëse kjo ligjëratë zgjoi interesimin e studentëve për interaktivitet intensiv, ku ajo arriti një nivel të jashtëzakonshëm. Ata vazhdimisht shtronin pyetje, analizonin nocionet e tilla, si dhe përpiqeshin të krijojnë pasqyrimet fillestare mbi shtetin dhe të drejtën.

Është me rëndësi gjithsesi të theksohet, se profesori Berisha, përveç studimeve të rregullta, ka përfunduar edhe një sërë specializimesh në fushën e të drejtës publike, në Akademinë e së Drejtës Publike në Kroaci, si dhe në vendet e tjera të Evropës. Gjatë kësaj kohe, i ka përfunduar studimet e post-doktoratës. Profesori Berisha ka kontribuar prej më se katër dekadash dhënë arsimimit të juristëve të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut e më gjerë. Së fundi ai ishte staf i rregullt në Fakultetin Juridik të Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan.

Profesori Berisha gjithashtu, për studentët e këtij Fakulteti dhuroi edhe një mori tekstesh universitare nga krijimtaria e tij akademike!

Në fund, dekani Qerimi falënderoi profesorin Berisha në emër të tij dhe të studenteve te Fakultetit Juridik për realizimin e kësaj ligjërate të përbashkët e cila mundësoi paraqitjen e gjithë atyre informacioneve me rëndësi për studentët e Fakultetit Juridik si dhe për dhurimin e një numri ekzemplarësh të teksteve universitare, autor i të cilave është vetë profesori Berisha.