Biblioteka Kombëtare E Kosovës

Marrëveshje bashkëpunimi me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës

Studentët dhe mësimdhënësit e Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), tash e tutje do të kenë në dispozicion informacionin për koleksionet (mbi 700  mijë tituj), katalogun elektronik dhe manual si dhe shërbime të tjera që ofrohen nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës (BKK). Kjo si rrjedhojë e Marrëveshjes së Bashkëpunimit  të nënshkruar nga rektori i UMIB-it, Alush Musaj dhe drejtori  BKK-së, Fazli Gajraku.

Sipas kësaj marrëveshje, BKK-ja mundëson anëtarësimin e studentëve dhe mësimdhënësve të UMIB-it, si lexues të rregullt në harmoni me vendimin e BKK-së, për anëtarësim të lexuesve. Gjithashtu BKK-ja ofron shërbim të referencave studentëve dhe stafit akademik të UMIB-it.

Rektori Musaj, theksoi se kjo është një mundësi shumë e mirë për studentët dhe stafin akademik. “Marrëveshja e Bashkëpunimit me BKK-në do të hap një dritare të re për studentët dhe mësimdhënësit e UMIB-it”, tha ai, duke i nxitur të gjithë që të shfrytëzojnë këtë mundësi.

Ndryshe, në marrëveshje parashihet që UMIB-i dhe BKK-ja të organizojnë konferenca, seminare, panaire, promovime të botimeve vendore dhe të huaja, si dhe aktivitete shkencore e kulturore në fusha me interes të përbashkët.