Me Pejen

Marrëveshje Bashkëpunimi me Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë

Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) do të bashkëpunojë me Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë (UHZ) me qëllim të zhvillimit  akademik dhe aktiviteteve kërkimore, shkencore dhe kulturore. Për të specifikuar fushat e bashkëpunimit, rektori i UIBM, prof.dr.Alush Musaj dhe homologu i tij nga Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë, prof.dr. Armand Krasniqi nënnshkruan të hënën në UIBM  një Marrëveshje Bashkëpunimi ndërmjet këtyre dy institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë.

Sipas marrëveshjes, bashkëpunimi do të mbështetet mbi bazën e parimeve demokratike dhe në pajtim me autonominë dhe lirinë akademike të të dyja palëve. Palët janë zotuar që të marrin në shqyrtim nevojat e përbashkëta gjatë bashkëpunimit të tyre me qëllim për të përfituar nga zhvillimi dhe shkëmbimi shkencor, edukativ dhe kulturor.

Të dy rektorët shprehën kënaqësinë për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet këtyre dy universiteteve. Rektori Musaj, e falënderoi homologun e tij nga UHZ për vizitën dhe gatishmërinë për bashkëpunim me interes reciprok për të dy institucionet. Ndërsa, rektori Krasniqi, theksoi se bashkëpunimi ndërmjet universiteteve do të krijojë mundësi më të mëdha për studentët dhe mësimdhënësit e dy palëve.

Në kuadër të marrëveshjes parashihet që të realizohen: Shkëmbime studentësh të cikleve të ndryshme studimi për periudha semestrale studimi ose për periudha të praktikave, aktivitete dhe publikime të përbashkëta në kërkime shkencore, pjesëmarrje në konferenca, seminare, evenimente dhe takime akademike, shkëmbim të materialeve akademike si dhe informacione të tjera të nevojshme  dhe programe të veçanta akademike afatshkurtra.