FTU

Mbahet trajnimi për digimentor dhe punëtoria për metodat e mësimdhënies së orientuar drejt punës, në kuadër të projektit DualAFS

Gjatë javës së kaluar, Hannu Viitala nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara “Savonia (SUAU)” të Finlandës, ka mbajtur trajnimin për veglat dhe mentorimin digjital. Trajnimi u mbajt në klasën hibride të Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore (FTU) në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM). Pjesëmarrësit në trajnimin për mentor digjital ishin nga universitetet partnere në projektin DualAFS: Mitrovica (UIBM), Prishtina (UPHP), Tirana (UBT) dhe Korça (UNIKO).

Për stafin akademik të FTU-së u mbajt punëtoria për metodat e mësimdhënies së orientuar drejt punës, nga Kaisa Hyvonen, specialiste për Kërkim, Zhvillim dhe Inovacion (KZhI). Në punëtori u diskutua rreth këtij konceptit të të mësuarit dhe zbatimin praktik të këtyre metodave për orientimin e studentëve drejt vendit të punës. Gjithashtu, u krahasuan metodat që aplikohen në SUAS me ato që aplikohen në FTU dhe pjesëmarrësit nga stafi akademik planifikuan t’i aplikojnë këto metoda për avancimin e punës praktike për studentët.