Marreveshja Me VIP In

Memorandum bashkëpunimi me SHPK. “VIPRINT”

Duke pasur parasysh interesin reciprok, është nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB) dhe SHPK “VIPRINT”. Rektori i UMIB-it, prof.dr.Alush Musaj dhe drejtori i VIPRINT-it, Visar Idrizi, u zotuan se do të angazhohen për promovimin dhe realizimin e një bashkëpunimi në fusha të interesit të përbashkët të dy palëve.

Memorandumi siguron programe të përbashkëta bashkëpunimi dhe ndihmë reciproke teknike në mes të UMIB-it dhe VIPRINT-it, me theks të veçantë të përkrahjes të studentëve të njësive akademike. Palët nënshkruese kanë shprehur vullnetin dhe gatishmërinë për bashkëpunim me qëllim të aftësimit praktik profesional në fushën e printimit, ku studentëve u mundësohet financim i plotë i studimeve, praktikë profesionale gjatë tri viteve si dhe punësim i garantuar në këtë kompani.

Ndër të tjera, parashihet që VIPRINT-i të ofroj punë praktike për njëzet (20) studentë gjatë vitit akademik, të cilët tregojnë sukses gjatë procesit të përzgjedhjes. Në anën tjetër, UMIB-i do të ndihmoj VIPRINT-in në përgatitjen e studentëve për rekrutim duke u bazuar në kërkesat dhe kriteret e parashtruara.

Poashtu planifikohet që  VIPRINT-i të ofroj tre bursa për tre studentët e dalluar, të cilët përzgjidhen nga komisioni i përbashkët e në bazë të rekomandimeve dhe pajtimit të palëve.