Perurimi

Në 11-vjetorin e UIBM u përuruan mensa dhe konvikti

Me rastin e 11 – vjetorit të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), është përuruar të mërkurën mensa dhe konvikti, duke shënuar edhe përfundimin e fazës së katërt dhe të fundit të kampusit universitar. Në ceremoninë e organizuar në UIBM, përveç mysafirëve të shumtë, ishte edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveqla si dhe kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza.

Të pranishmëve në manifestimin qendror mirëseardhje ju ka uruar u.d. rektorja e UIBM, prof.dr. Nurten Deva. Ajo shfaqi shpresën në mbështetjen e institucioneve për Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë lidhur me inventarizimin e mensës dhe konviktit.

Kryeminitri Kurti, tha se 26 vite pas përfundimit të luftës, po bëjnë përpjekje që të ketë një arsim më të mirë. “Në vitet që vijnë le të vazhdojmë punën, njohuritë që i zhvilloni këtu i kontribuoni jetës suaj në vijim dhe të ardhmes së shtetit tonë, përgëzimet e mia për kampusin universitar”, tha Kurti.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, tha se përgjatë mandatit janë përkushtuar për një arsim më cilësor, teksa përmendi edhe ndarjen e bursave për studentët.  Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveqla, tha se vlera e investimit në këtë kampus kalon mbi 20 milionë euro.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, duke uruar përvjetorin e 11 të UIBM si dhe përurimin e mensës dhe konviktit, tha se pas shumë sfidave Mitrovica ka një kampus modern universitar. “Kështu nuk ishte deri në vitin 2012, kur nisi ndërtimi i këtij kampusi në këtë hapësirë të bukur që ishte ndarë nga Komuna e Mitrovicës, kështu nuk ishte as deri në vitin 2018 kur studentët dhe mësimdhënësit nisin punën në këtë ambient të ri”, prandaj duhet qenë mirënjohës ndaj të gjithëve që ishin pjesë  e këtij rrugëtimi.

Në emër të Parlamentit të Studentëve, të pranishmëve ju drejtua studentja, Njomza Gashi. Ajo tha se janë me fat që kanë këto mundësi, meqë një fat të tillë nuk e kishin shumë gjenerata para tyre. “Për më keq ata përndiqeshin dhe vriteshin, sikur Selman Vojvoda, që ishte shndërruar në simbol të studentëve shqiptarë të asaj kohe”, tha ajo.

Pas manifestimit qendror, u pre shiriti përurues për mensën dhe konviktin. Mensa ka një hapësirë prej 2.920 metrash katrorë, ku mund të ushqehen deri në 500 veta njëkohësisht. Ndërsa konvikti ka hapësirë 7.896 metra katrorë dhe mund të akomodojë 279 studentë. Objekti ka 4 kate, përdhese dhe bodrum. UIBM është themeluar me vendim të Qeverisë së Kosovës më 6 mars 2013. Ky vendim u ratifikua në Kuvendin e Kosovës më 31 maj 2013.

Për pjesën artistike është përkujdesur studentja, Laureta Dobroshi, e cila ka luajtur dy pika me violinë, ndërsa pjesë e ngjarjes ishte edhe shoqata kulturore artistike “Minatori”.

3