Juii

Në Fakultetin Juridik u organizua simulimi i rastit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për rastin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës

Në Fakultetin Juridik të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, asistentja, Albulena Uka me kolegët e vitit të III-të, në kuadër të ushtrimeve nga lënda “E drejta ndërkombëtare publike”,  demonstroi simulimin e rastit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për rastin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Me një fjalë rasti këtë aktiviteti e hapi dekani i Fakultetit Juridik, prof. assoc. dr. Islam Qerimi, i cili falënderoi asistenten, Albulena Uka dhe studentët e vitit të III-të, për përkushtimin e tyre që ka rezultuar me demonstrimin e simulimit të rastit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për rastin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Studentët ishin ndarë në rolet për përfaqësimin e shteteve të cilat kanë paraqitur opinionet e tyre në lidhje me ligjshmërinë e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Fillimisht, fjalën e kishte marrë përfaqësuesja e shtetit të Serbisë, e cila edhe kishte bërë këtë kërkesë në Ansamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, dhe që në pledojen e saj aludoi të paraqiste fakte që mund të rrëzonin ligjshmërinë e aktit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe të bindte Gjykatën për të nxjerrë një opinion në favor të kundërshtimit të këtij akti!

Në vazhdim fjalën kishte marrë përfaqësuesja e Kosovës, e cila ofroi argumente juridike dhe politike të cilat kanë quar deri te shpallja e Pavarësisë së Kosovës dhe se si shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte në harmoni me të drejtën ndërkombëtare. Edhe shtetet tjera si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusisë, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Spanjës dhe Francës ofruan qëndrimet e tyre në lidhje me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Në fund, përfaqësuesja e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë konstatoi se bazuar në shqyrtimin e rastit dhe argumentet e ofruara nga shtetet, Kosova me rastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.