Nushe

U.d. rektorja ngushëllon familjen, miqtë dhe kolegët e prof.dr. Nushe Lajçit

Të nderuar familjarë dhe kolegë, pranoni ngushëllimet më të sinqerta në emrin tim personal dhe në emër të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, për ndarjen nga jeta të ish-profesoreshës, prof.dr. Nushe Lajçi. Lajmi për vdekjen e profesoreshës si pasojë e një aksidenti në komunikacion, na ka tronditur të gjithëve që e kemi njohur, kemi punuar dhe jemi shoqëruar me të ndjerën.

Ajo ishte model i një mësimdhënësje të përkushtuar për vite të tëra në Universitetin tonë, një kolegeje korrekte dhe një mikeshe të veçantë. Sigurisht se ajo do t’i mungojë shumë familjes, por gjithsesi edhe shoqërisë dhe të gjithë atyre që e kanë njohur.

Profesoresha Lajçi, ka lënë një punë të madhe shkencore, duke përfshirë rreth 40 punime shkencore në revista ndërkombëtare si autor dhe koautor, ka marrë pjesë në 20 konferenca shkencore ndërkombëtare dhe kombëtare. Vepra e saj mbetet një pasuri për gjeneratat e ardhshme, kurse emri i mirë që ka lënë mbetet ngushëllimi më i mirë për familjen. U prehtë në paqe!

U.d. rektorja

Prof.dr. Nurten Deva