Akademia Perkujtimore 1

U mbajt Akademia Përkujtimore për prof.dr. Shefqet Rashanin

Në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) u mbajt të premten një Akademi Përkujtimore për prof.dr. Shefqet Rashanin, i cili u nda nga jeta më 14.12.2022. Të pranishëm në këtë akademi ishin drejtuesit e UIBM, mësimdhënës, miq, kolegë, ish – studentë dhe familjarë të të ndjerit.

Në emër të UIBM familjarët dhe të pranishmit e profesorit Rashani, i ka ngushëlluar rektori prof.dr. Alush Musaj. “Jemi mbledhur sot këtu për të nderuar dhe përkujtuar jetën dhe veprën e një personaliteti të shquar të qytetit tonë, të vendit tonë, një profesori e intelektuali të jashtëzakonshëm. Profesor Rashani, ka qenë një prej shtyllave të jetës akademike në qytetin e minatorëve, prandaj si i tillë meriton respektin dhe nderimin e të gjithëve pa përjashtim”.

Rektori Musaj, tha se i ndjeri ka punuar në kohë dhe rrethana të ndryshme, të cilat nuk e kanë luhatur asnjëherë nga rruga e drejtë, si mësimdhënës parimor, duke lënë një model për gjeneratat e ardhshme. “Shumica e atyre që kanë kaluar nëpër auditoriumet universitare në Mitrovicë e kanë parasysh përkushtimin, disiplinën dhe punën e palodhshme të profesorit, Rashani”.

Ai theksoi se figura e profesorit të ndjerë, ka qenë shumë dimensionale. “Përveç si mësimdhënës, ai ka mbajtur pozita të ndryshme udhëheqëse në Fakultetin Xehetaro – Metalurgjik. Gjithashtu ka mbajtur edhe pozita të tjera udhëheqëse, ku ka lënë përshtypje të jashtëzakonshme të një udhëheqësi këmbëngulës dhe të suksesshëm”.

Për biografinë e profesorit Rashani, ka folur dekani i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore, prof.dr.Milaim Sadiku. Ai tha se i ndjeri ka qenë një punëtor i madh duke lënë 70 punime shkencore dhe 4 tekste universitare.

Gjithashtu dekani Sadiku, ka numëruar aktivitetet profesionale si recensent i teksteve universitare, si kryetar komisioni i mbrojtjes së temave të diplomës etj. Gjithashtu ia ka potencuar edhe faktin se profesor Rashani ka mbajtur poste të ndryshme në ish-Fakultetin Xehetaro – Metalurgjik, duke qenë tre herë dekan.

Doktor Faik Bllata, ka evokuar kujtime për të ndjerin, për rrugëtimin e tij që nga fëmijëria dhe për personalitetin dhe karakterin e tij. Ndërsa, në emër të familjes të pranishmit i ka përshëndetur, e bija e profesorit Rashani, Valentina, e cila falënderoi rektorin Musaj dhe dekanin Sadiku për respektin dhe organizmin e akademisë përkujtimore.

Akademia Perkujtimore 1