Provimet’

U mbajtën provimet pranuese në UIBM

Të martën janë mbajtur provimet pranuese  për kandidatët që kanë aplikuar për t’u pranuar në vitin e parë të studimeve (bachelor) në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) për vitin akademik 2023/24.  Provimeve pranuese u janë nënshtruar kandidatët që kanë aplikuar për t’u pranuar në Fakultetin Juridik, Ekonomik dhe atë të Edukimit si dhe ata që kryer shkollimin e mesëm me sistem të vjetër dhe që kanë aplikuar në Fakultetin e Gjeoshkencave, Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore dhe në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike.

Në konkursin e shpallur më 10 korrik 2023 për pranim në UIBM në afatin e parë kanë aplikuar 679 kandidatë, përderisa sipas vendimit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në vitin akademik 2023/24 në UMIB do të pranohen 940 studentë. Në kuadër të këtij numri përfshihen edhe studentët e komuniteteve (12 për qind) dhe ata nga Kosova Lindore, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi (1 për qind).

Interesimi më i madh për t’u pranuar  ka qenë Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike, përkatësisht programi “Shkenca kompjuterike dhe inxhinieri”. Për programet që nuk plotësohen në afatin e parë në muajin shtator do të hapet edhe afati i dytë.