3, Pro

U promovua libri “Grupi MAK” nga autori, Naim Kurteshi

Në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) u promovua të shtunën libri “Grupi MAK”, nga autori, Naim Kurteshi. Në këtë promovim të këtij libri kushtuar grupit të famshëm të muzikës rok në Mitrovicë “MAK”, ishin të pranishëm dekanë të njësive akademike në UIBM, drejtues dhe zyrtarë të Komunës së Mitrovicës, familjarë të anëtarëve të grupit “MAK”, artistë, muzikantë, personalitete të jetës publike dhe mysafirë të shumtë.

Në emër të rektores së UIBM, prof.asoc.dr. Merita Shala, të pranishmëve ju uroi mirëseardhje, drejtori për Informim dhe Komunikim me Publikun, Ahmet Jashari. Ai falënderoi profesorin Kurteshi që ka zgjedhur Universitetin “Isa Boletini” për promovimin e librit, duke bërë bashkë artistë, dashamirës të librit, muzikës dhe artit në përgjithësi.

Jashari theksoi se libri që po promovohet është një rikujtesë jo vetëm për një grup dhe për një solist, por për gjenerata të tëra artistësh që krijuan shije dhe kultivuan muzikë dhe art që reziston ndaj trendëve sikur ato të sotme të maskulturës apo kulturës së masave siç njihet ndryshe. “Grupi “MAK”, Haki Misini dhe të gjithë anëtarët e këtij grupi, janë vlerë elitare që kanë krijuar epokë”, tha ai.

Të pranishmëve ju ka drejtuar me një fjalë rasti edhe drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Mitrovicës, Valdete Idrizi, e cila mori përsipër që vitin e ardhshëm të ribotohet ky libër kushtuar grupit “MAK”. Për grupin “MAK” evokoi kujtime kompozitori, Xhevdet Gashi, ndërsa familjarë të anëtarëve të grupit falënderuan autorin e librit dhe organizatorët e promovimit.

Autori i librit “Grupi MAK”, Naim Kurteshi, falënderoi UIBM dhe Komunën e  Mitrovicës që kanë mbështetur këtë aktivitet. Ai gjithashtu foli për ecurinë e punës dhe botimit  të librit që është përkthyer edhe në gjuhën angleze dhe që mirëpritur gjithandej.

Gjatë promovimit u luajtën disa pika muzikore të ish-grupit “MAK” si u lexuan pjesë të librit të përzgjedhura nga redaktorja.

3, Pro