Promovimii

U promovua libri “Mitrovica me rrethinë ndër shekuj”, i autorit, Dom Pashk Dani

Në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) u promovua të shtunën libri “Mitrovica me rrethinë ndër shekuj”, i autorit, Dom Pashk Dani. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin drejtues dhe përfaqësues të Komunës së Mitrovicës, UIBM, personalitete dhe dashamirë të librit.

Një fjalë hyrëse e mbajti kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, i cili uroi autorin për promovimin e librit. Ai tha se kjo është një vepër e rëndësishme në vargun e atyre që janë botuar për qytetin e minatorëve.

Në emër të rektores së UIBM, prof.asoc.dr. Merita Shala, të pranishmëve ju drejtua dekani i Fakultetit Ekonimik, prof.asoc.dr. Qazim Tmava. Ai përgëzoi autorin e librit që ka bërë një punë të mrekullueshme duke përmbledhur në një botim të veçantë, kumtesa, shqyrtime,  dhe reflektime për Mitrovicën që janë mbajtur në një simpozium në vitin 2008.

Sipas tij, lajmet për botimet dhe promovimet e librave në Mitrovicë për shkak të rrethanave të pasluftës zakonisht kanë  mbetur në plan të dytë. “Gradualisht ky realitet duhet të ndryshojë në mënyrë që Mitrovica të kthej prestigjin që kishte dikur si qytet i kulturës, i artit, i sportit dhe jo vetëm i politikës”, tha ai.

Në pjesën e dytë të promovimit, për librin folën panelistët: Prof.dr. Gjon Berisha, Dr. Bajram Preteni, krijuesi, Lekë Mrijaj, studiuesi, dr.sc. Pajazit Hajzeri, ndërsa në fund të pranishmit i përshëndeti dhe i falënderoi autori i librit “Mitrovica me rrethinë ndër shekuj”, Dom Pashk Dani. Promovimi u përmbyll me një pikë artistike nga vëllezërit Lekë e Gjokë Duhani.