Punetoria

UMIB-i pjesë e punëtorisë për planet strategjike të kërkimit

Katër veta nga Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini”(UMIB), po marrin pjesë në punëtorinë  “Udhëzimet universitare për shërbimet e mbështetjes së kërkimit dhe planet strategjike të kërkimit”, e cila po mbahet online në kuadër të projektit “Përmirësimi i kulturës kërkimore në arsimin e lartë të Kosovës”. Kjo punëtori është organizuar nga Universiteti  “Sapienza” në Romë dhe IBCM-ja, me mbështetjen e Universitetit të Zagrebit dhe Universitetit të Ekonomisë Kombëtare dhe Botërore nga Bullgaria.

Dekani i Fakultetit të Edukimit, Besim Gollopeni, i cili po merr pjesë në këtë punëtori së bashku me prorektorin për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Bexhet Shala, profesorin, Faton Merovcin dhe Burim Hasanin nga administrata, tha se synimi i këtij aktiviteti është mbështetja e universiteteve të Kosovës për të zhvilluar rregulloret për krijmin dhe funksionalizimin e zyrave të kërkimit universitar. “Në këtë kuadër angazhimi fokusohet edhe në përcaktimin e planeve strategjike të funksionimit të këtyre zyrave”, tha ai.

Punëtoria zhvillohet më 6-7 tetor dhe pjesë e saj janë të gjitha universitetet publike në Kosovë.