Urimi i rektorit Musaj për Ditën e Mësuesit

Rektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Alush Musaj, ua uron të gjithë mësimdhënësve 7 Marsin – Ditën e Mësuesit. Me këtë rast, ai çmon punën dhe përkushtimin e tyre gjeneratë pas gjenerate, për edukimin e brezave të rinj.

Rektori Musaj, thekson se rrethanat në të cilat ka lind dhe është zhvilluar shkolla shqipe, kanë bërë që puna e mësuesit të shndërrohet në një mision të shenjtë, që i ka tejkaluar suazat e një pune të rëndomtë.  “Duke qenë i përndjekur, duke mos pasur kushte për punë, por duke pasur vullnet dhe përkushtim të jashtëzakonshëm, mësuesi shqiptar ka qenë dhe mbetet strumbullar i kombit tonë”.

Tani, sipas tij, rritja e cilësisë në arsim, nuk duhet të jetë vetëm dëshirë, por duhet të përkthehet në obligim dhe amanet ndaj atyre që e kanë ruajtur shkollën shqipe dhe ndaj brezave të rinj që do të vijnë.