Champions Of Success

Të suksesshmit shpalosën historitë e tyre para studentëve dhe të rinjve në UMIB

Shumë studentë dhe të rinj mitrovicas janë bërë pjesë e aktivitetit “Are you  a champion”, që u mbajt në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), ku kanë dëgjuar historitë e katër njerëzve të suksesshëm kosovarë.  Përveç Ardian Hoxhës, që e ka hapur aktivitetin dhe ka shpalosur rrugëtimin e tij si ndërmarrës, historitë e tyre të suksesit i kanë treguar edhe aktorja, Adriana Matoshi, si dhe dy personalitete të suksesshme nga qyteti i minatorëve, Visar Skenderi dhe Lindrit Misini.

Fillimisht Ardian Hoxha, ka folur për idenë e organizimit të këtij aktiviteti që ka filluar në Mitrovicë dhe që do të vazhdoj në qytetet tjera. Ai tha se e ka vlerësuar si të rëndësishme për të rinjtë që të dëgjojnë dhe motivohen nga njerëz që kanë arritur suksese në profesionet e tyre.

Hoxha theksoi se gjithçka fillon prej ëndrrave, prandaj të rinjtë duhet të mos frikësohen prej ëndrrave, por t’i  jetësojnë ato. Për rrugëtimin e tyre në jetë dhe në karrierë folën edhe panelistët e tjerë, të cilët zgjuan kërshërinë e të pranishmëve.