Juridik

Avokati zviceran Andreas Schregenberger mbajti një ligjëratë për studentët e këtij Fakulteti, me temë: “Përfaqësimi në Arbitrazhin ndërkombëtar dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut”

Me ftesë të U.D. Dekanit të Fakultetit Juridik të UIBM-së, Prof. Asoc. Dr. Islam Qerimi, sot avokati zviceran Andreas Schregenberger mbajti një ligjëratë për studentët e këtij Fakulteti, me temë: “Përfaqësimi në Arbitrazhin ndërkombëtar dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut”.

Andreas Schregenberger – Andreas Schregenberger është i specializuar në fushën e arbitrazhit kompleks dhe procedurave gjyqësore. Fokusi kryesor i punës së tij juridike është zgjidhja e mosmarrëveshjeve juridike ndërkombëtare. Avokati Schregenberger për studentët e Fakultetit Juridik trajtoi çështjen e arbitrazhit ndërkombëtar, procedurën dhe pëparësitë e tij në krahasim me procedurën e rregulltë e cila ndjeket në gjykata të rregullta. Së pari avokati bëri një dallim në mes të procedurës gjyqësore e cila zhvillohet para gjyqtarëve, procedura e arbitrazhit zhvillohet para personave të zgjedhur të quajtur arbitra. Më tutje ai sqaroi se arbitrazhi është një mënyrë neutrale, private dhe konsensuale për të zgjidhur konfliktet. Për më tepër, vendimi që jepet është i detyrueshëm dhe duhet te respektohet nga të gjitha palët. Normalisht, është një mënyrë më e shpejtë dhe më pak e kushtueshme se një procedurë gjyqësore. Kjo ligjëratë u ndjek me interesim të kënaqshëm nga studentët e Fakultetit Juridik. Aq më tepër kjo ligjëratë u shndërrua në një kuazi tryezë të rrumbullakët ndërkombëtare, pasi që kësaj ligjërate ju bashkangjitë edhe profesori Zahir Çerkini. Tema e çështjeve që bie në domenin e arbitrazhit është aktuale edhe në Kosovë, prandaj diskutimi dhe trajtimi profesional i sotshëm me ekspertin ndërkombëtar për studentët e Fakultetit Juridik u tregua tejet i frytshëm. Kjo ligjëratë interaktive u karakterizua nga një debat i hapur dhe mjaft profesional në mes të studentëve, profesorëve Qerimi dhe Çerkini si dhe avokatit zvicerian. Një pikë me rëndësi e kësaj ligjërate ishte edhe mbrojtja e lirive dhe të drejtave e njeriut në procedurat që zhvillohen në gjykatat e arbitrazhit.

Në përmbyllje të kësaj ligjërate, bashkëbiseduesit shprehën kënaqësi për fillimin e bashkëpunimit, si dhe u inicua ideja për thellimin e bashkëpunimit profesional edhe më tutje, si dhe për përkrahjen e studentëve të Fakultetit Juridik për pjesëmarrje në rastet e zhvillimit të procedurave jashtëgjyqësore nga domeni i arbitrazhit.