IndustriaQumeshtore

Bashkëpunim i frytshëm i FTU me Shoqatën e Industrisë së Qumështoreve të Kosovës

Bashkëpunimi i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore me Shoqatën e Industrisë së Qumështoreve të Kosovës (SHIQK) po rezulton gjithnjë e më i sukseshëm. Nga takimet e rregullta që mbahen në mes të Dekanit të FTU, Prof. Asoc. Dr. Milaim Sadiku dhe Kryetarit të SHIQK, z. Gani Durmishaj, është biseduar dhe për nivelin profesional të kandidatëve të cilët i kanë përfunduar studimet në FTU  përkatësisht profesionalizmin që e trgojnë në qumështoret ku janë punësuar. Në kontekst të kësaj janë diskutuar edhe planprogramet e studimeve si bazë e përgatitjes profesionale. Nga këto takime, ishte kërkesë e SHIQK që lëndët, “Teknologjia e përpunimit të qumështit” në nivelin e studimeve Bachelor dhe “Kimia dhe teknologjia e qumështit dhe produkteve të tij”, në nivelin e studimeve Master, që ishin lëndë zgjedhore të bëhen lëndë obligative.

Kërkesa e SHIQK është marrë shumë seriozisht në FTU, këkresë e cila është shqyrtuar në Komisionin e Studimeve dhe është miratuar edhe nga Këshilli i Fakultetit. Këto lëndë tani kanë statusin e lëndëve obligative që, duke marrë parasysh pajisjet laboratorike dhe linjën për përftimin e produkteve të qumështit që i disponon FTU, studentit i mundësohet të jetë mjaft i përgatitur për industrinë e qumështit.