Ambasadori 1

Dekani i Fakultetit Juridik, prof.asoc.dr. Islam Qerimi, priti në takim ambasadorin gjerman, Rohde

Pas një ligjërate që ka mbajtur në  Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), ambasadori gjerman në Kosovë, Jörn Rohde, i cili shoqërohej nga  Christian Böttcher, udhëheqës i Departamentit për Kultur dhe Media në ambasadë, ishte mysafir edhe i dekanit të Fakultetit Juridik, prof.asoc.dr. Islam Qerimi. Gjatë këtij takimi, ambasadori pati rastin të njoftohet hollësisht për historikun, punën, interesimin e të rinjve për të studiuar fushat juridike, e në veçanti për nivelin e lartë të cilësisë dhe performancës së vlerësuar nga ekspertët e jashtëm për programin e këtij Fakulteti gjatë një dekade.

Po ashtu një pikë e veçantë iu kushtua edhe informimit mbi sukseset e arritura të studentëve në gara nacionale dhe ndërkombëtare, si dhe për vazhdimin e studimeve pasdiplomike të tyre nëpër universitete prestigjioze europerëndimore.

Në vazhdim u trajtuan edhe alternativat e mundshme për format e bashkëpunimit ndërmjet Fakultetit Juridik dhe fakulteteve simotra dhe institucioneve të arsimit të lartë në Gjermani. Dekani Qerimi dhe ambasadori Rohde u dakorduan që tani është koha e përshtatshme të fillohet me organizime të kësaj natyre të bashkëpunimit ndërmjet Fakultetit Juridik por edhe UIBM-i me institucionet kompetente gjermane.

Dekani Qerimi e falënderoi shkëlqesinë e tij, ambasadorin Rohde për realizimin e kërkesës së tij për ta vizituar Universitetin, dhe për të mbajtur ligjëratë në UIBM. Në përmbyllje të takimit, dekani Qerimi me rastin e Festave Kombëtare të Nëntorit, i dhuroi ambasadorit Rohde një statujë të heroit kombëtar shqiptar, Isa Boletini, emrin e të cilit e mban Universiteti i Mitrovicës.

Ambasadori 1