Librat.

Fakulteti Ekonomik pranon 200 libra dhuratë nga projekti “Economics Fundamentals Initiative”

Fakulteti Ekonomik në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) ka pranuar një donacion prej 200 librash nga projekti “Economics Fundamentals Initiative” me bazë në Amerikë. Qëllimi i këtij projekti është promovimi i librit të ekonomisë “Ekonomiksi i Mendimit Praktik”, në kuadër të rrjetit të partnerëve lokal në Evropë dhe Azi.

Asistentja e këtij projekti, Argjenta Plakolli, tha se libri në gjuhën shqipe është i përkthyer nga anglishtja dhe shkruar nga profesorë universitar amerikanë. “Qëllimi i librit është t’ju ndihmojë studentëve të ekonomisë, të rinjve dhe audiencës në përgjithësi të bëjnë vendim-marrje të shëndoshë ekonomike, zhvillim profesional të suksesshëm dhe prosperitet personal e kombëtar”, tha ajo.

Ndërsa, dekani i Fakultetit Ekonomik, prof. asoc.dr. Qazim Tmava, falënderoi asistenten, Plakolli për këtë fond librash. “Jemi mirënjohës për mbështetjen tuaj me këtë fond librash që do ta pasuroj bibliotekën e Fakultetit Ekonomik dhe do të rrisë mundësitë e zgjerimit të dijes për studentët tanë”, tha ai.

Deri më tani libri është përkthyer në 6 gjuhë të ndryshme.