Foto Nga Procedings I Konferences

Mbahen punimet nga Konferenca e 17-të Ndërkombëtare Ndërdisiplinore “Roli i teknologjisë në formësimin e shoqërisë”

Më 11 dhe 12 nëntor 2022 në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, janë mbajtur punimet nga Konferenca e 17-të Ndërkombëtare Ndërdisiplinore “Roli i teknologjisë në formësimin e shoqërisë”. Bashkëorganizatorë të kësaj konference janë rreth 20 institucione vendore dhe ndërkombëtare, ndërsa bashkëorganizator është edhe Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë, ku përgjegjës dhe kontribuues tash e disa vite është Dekani i Fakultetit të Edukimit, Prof. Assoc. Dr. Besim Gollopeni. Konferenca po i zhvillon punimet në seancë plenare, në sesione të veçanta dhe sesione të përbashkëta, ku janë paraqitur për prezantim 162 kumtesa me gjithsej 264 autorë, bashkautorë dhe kontribues të tjerë shkencorë dhe profesionistë nga 22 vende të ndryshme të rajonit dhe botë.

Temat e konferencës ishin: Kultura, Artet, Sfera Publike dhe Komunikimi; Popullsia, Migrimi dhe Diaspora; Arsimi dhe Sporti; Politika, Demokracia, Integrimi dhe Ligji; Feja; Sjellja Kolektive dhe Lëvizjet Sociale; Martesa, Familja, Mirëqenia, Politika Sociale dhe Komuniteti; Fëmijëria, rinia, koha e lirë, plakja dhe gjinia; Puna, Profesionet, Organizimi, Çështjet Urbane dhe Rurale; Studime krahasuese, Shëndeti Publik, Devijimi dhe Kontrolli Social; Marrëdhëniet etnike, nacionalizmi, të drejtat e njeriut; Dixhitalizim dhe Inovacion.

Hapjen e punimeve të Konferencës e bëri Rektori i UKZ-së, Prof. Dr. Bajram Kosumi, i cili përgëzoi të gjithë për organizimin e konferencës, duke ju uruar punë të mbarë.

Punimet e konferencës i përshëndeten, zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, z. Dukagjin PUPOVCI, Geron KABERI – Drejtor Ekzekutiv i Qendrës për Lidership Shkollor (QSHK), Dekani i Fakultetit të Edukimit Prof. Assoc. Dr. Besim GOLLOPENI si dhe përfaqësues të institucioneve organizative të konferencës.

Ndërsa Rektori i UKZ, Prof. Dr. Bajram Kosumi i ka dhuruar stafetën Universitetit Ismail Qemali, nga Vlora, Shqipëri, për organizimin e konferencës së radhës ndërkombëtare (2023): “Kapitali social dhe sfera publike në shoqërinë bashkëkohore”.

Punimet e konferencës u drejtuan dhe moderuan nga Prof. Assoc. Dr. Xhevdet THAÇI.