1

Marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë

Në kuadër të objektivave të Universitetit “Isa Boletini”- Mitrovicë (UIBM) dhe Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë (UV) për vijim të bashkëpunimeve cilësore me institucione të arsimit të lartë, këtë të enjte, Rektori i UV-së, Prof. Dr. Roland Zisi, shoqëruar nga Zv. Rektorja Akademike, Prof. Asc, Frosina Londo, nga Zv. Rektori për Kërkimin Shkencor dhe Zhvillim Institucional, Prof. Enkelejd Mëhillaj, Drejtorja e Komunikimit dhe Burimeve Njerëzore, Eloina Tozaj dhe Drejtorja e Drejtorisë së Sigurimit të Brendshëm dhe Cilësisë së Projekteve, Rezarta Sinanaliaj, priti në zyrën e tij Rektorin e universitetit “Isa Boletini”, Mitrovicë, Prof. Dr. Alush Musaj, shoqëruar nga Zv. Rektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Kërkime Shkencore, Prof. Dr. Behxhet Shala dhe nga Prof. Ahmet Jashari, Drejtori i Zyrës për Informim dhe Komunikim me Publikun në universitetin “Isa Boletini”, Mitrovicë.
Në fjalën e tij përshëndetëse Rektori Zisi duke falenderuar Rektorin e universitetit “Isa Boletini, Prof. Dr. Alush Musaj për vizitën në UV dhe për interesin e treguar për të bashkëpunuar me universitetin “Ismail Qemali” pohoi se, ndihet i nderuar për nisjen e bashkëpunimit konkret me universitetin “Isa Boletini”, Mitrovicë, bashkëpunim i cili, sipas Zisit do të jetë mjaft i frytshëm për të dyja institucionet e arsimit të lartë, në kuadër të interesit të përbashkët për zgjerim të bashkëpunimeve cilësore në fusha të ndryshme që janë në interes së zhvillimit të të dy universiteteve.
Rektori i universitetit “Isa Boletini”, Mitrovicë, Prof. Dr. Alush Musaj, duke falenderuar Rektorin Zisi për mikpritjen theksoi se, është nder dhe kënaqësi për universitetin “Isa Boletini” Mitrovicë që do të bashkëpunojë me një institucion të arsimit të lartë kaq cilësor dhe serioz, me objektiva të qarta në drejtim të sukseseve të mëtejshme akademike, siç është universiteti “Ismail Qemali” Vlorë, duke theksuar se bashkëpunimet do të ofrojnë sfondin e përgjithshëm për të ngritur projekte të përbashkëta akademike mes dy universiteteve.
Në fund të takimit u realizua dhe nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit midis dy universiteteve: nga Rektori i universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, Prof. Dr. Roland Zisi dhe nga Rektori i universitetit “Isa Boletini” Mitrovicë, Prof. Dr. Alush Musaj.
Bashkëpunimi midis dy universiteteve do të realizohet në kuadër të fushave të bashkëpunimit:
1. Partneritet për aplikime për projekte në programe të tilla si Erasmus +, Horizon Europe etj;
2. Shkëmbimi i stafit akademik dhe /ose administrativ;
3. Shkëmbim studentësh të cikleve të ndryshme studimi për periudha semestrale studimi ose për periudha të praktikave;
4. Aktivitete të përbashkëta hulumtuese, konferenca dhe botime;
5. Pjesëmarrje në seminare, konferenca, evenimente dhe takime akademike;
6. Shkëmbimi i materialeve akademike si dhe informacioneve të tjera të nevojshme;
7. Bashkëpunime në programe të përbashkëta studimi në të gjitha ciklet;
8. Organizimi i shkollave verore për studentët;
9. Ndarja e praktikave më të mira, përmirësimi i formave dhe metodave të organizimit të procesit të mësimdhënies, prezantimi me teknologjitë e fundit në procesin mësimor;
10. Kryerja e analizave të përbashkëta të materialeve (shkencore, metodologjike, tekstet shkollore, ndihmat edukative, kurset, ligjëratat, etj.) në formë të shkruar dhe elektronike;
11. Lektorë të ftuar nga fakultete të kualifikuara për mbajtjen e leksioneve në lidhje me fusha të ndryshme të shkencës, organizimin e seminareve të përbashkëta për përmirësimin e kualifikimit të personelit deri në 15 persona në një vit;
12. Shkëmbim eksperience në përmirësimin e sistemit të menaxhimit të cilësisë të institucionit me përdorimin e teknologjive të informacionit;
13. Mbajtjen e seminareve/takimeve të përbashkëta në lidhje me përmirësimin e sistemit të menaxhimit të cilësisë në institucion;
14. Zhvillimin e programeve të veçanta akademike afatshkurtra (si kurse për edukimin në vazhdim me kohëzgjatje deri në 1-vit, programe me karakter profesional me kohëzgjatje 1-2 vjet);
15. Krijimin e fushave të tjera në të cilat është krijuar ose do të zhvillohet interesi i përbashkët reciprok për bashkëpunim.