Juridikuu

Në Fakultetin Juridik u organizua ligjëratë e hapur me Policinë e Kosovës

Për studentët e Fakultetit Juridik të UIBM-së, menaxhmenti i Fakultetit Juridik, organizoi një ligjëratë të hapur me Policinë e Kosovës, konkretisht Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) në koordinim me OSBE, me temë: “Parandalimi dhe luftimi i Korrupsionit”. Në hapje të kësaj ligjërate dekani i Fakultetit Juridik, Qerimi përshëndeti vullnetin dhe gatishmërinë e Policisë së Kosovës dhe të OSBE-së, për mbajtjen e kësaj ligjërate të hapur me interes të veçantë për studentët e Fakultetit Juridik, ne Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë!

Dekani Qerimi theksoi, se duke e ditur faktin se misioni i Departamentit të Hetimeve është parandalimi i kriminalitetit, zbulimi dhe hetimi i kryerësve të veprave penale, me anë të mbledhjes dhe paraqitjes së fakteve, dëshmive dhe provave, që dëshmojnë fajësinë ose pafajësinë e personave të dyshuar për vepra penale, si dhe vënia e kryerësve të veprave penale para drejtësisë, kjo ligjëratë është më se e  mirëseardhur për studentët e këtij fakulteti, juristë të ardhshëm, të cilët gjate ushtrimit të profesionit të tyre në praktikë, do të kenë prioritet parandalimin dhe luftimin e kriminalitetit në Kosovë dhe në nivelin ndërkombëtar! Prandaj, qëllimi i kësaj ligjërate ishte informimi sa më i gjerë i studentëve me punën e Policisë, (Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit), rritjes së bashkëpunimit me qytetarë dhe luftimin e krimit.

Në vazhdim, dekani Qerimi ftoi të marrë fjalën Hysni Shalën, Shef i Njësisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit e Policisë së Kosovës (DHKEK). Kapiteni Shala fillimisht shpalosi biografinë e begatshme mbi arsimimin e vazhdueshëm dhe eksperiencën e vet të gjatë, në lidhje me profesionin që e ushtron në kuadër të kësaj Drejtorie. Në hyrje të prezantimit ai paraqiti raportin e Organizatës Transparency International për të gjeturat kyqe të korrupsionit për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në Turqi. Sipas këtij raporti janë konstatuar këto aspekte negative: Drejtësi dhe zbatim i dobët i ligjit; Sisteme politike të kapura, si dhe Media dhe shoqëri civile nën kërcënim. Gjithnjë në bazë të këtij raporti, në Kosovë indexi mbi perceptimet e korrupsionit për vitet 2015, 2016 dhe 2022, ka shënuar një rënie të dukshme!

Më tutje kapiteni Shala pasqyroi ndarjen e formave të korrupsionit për nga karakteristikat themelore si vijon: në korrupsionin Rrugor; në korrupsionin në Administratën publike; në korrupsionin Politik, dhe në korrupsionin Gjyqësor. Ai gjithashtu një pjesë të prezantimit ia kushtoi edhe vështirësive për hetimin dhe luftimin e korrupsionit, siç janë mos-gatishmëria e qytetarëve për lajmërimin e rasteve, mungesa e vullnetit politik e mbështetja e mekanizmave që kanë për mision luftimin e korrupsionit, mungesa e përvojës institucionale për ta luftuar këtë dukuri, sanksionet penale të buta, të cilat janë të parapara me legjislacionin në fuqi, si dhe për shkak se ky lloj i krimit është më i vështirë të provohet sepse nuk lë gjurmë, si dhe gjithashtu edhe për shkak të vështirësive në bashkëpunim për shkak të frikës nga hakmarrja, faktori i skandalit, ekspozimit etj.

Në fund të këtij prezantimi kapiteni Shala i informoi pjesëmarrësit për lëndët që hetohen, se si mund të iniciohen, siç bie fjala drejtpërdrejtë nga vendi i ngjarjes, kërkesat e prokurorit, ankuesit, nga transferi i lëndëve të njësive tjera policore, si dhe pranimit të informatave të tjera të ndryshme.

Ky prezantim u përcjellë me shumë interesim nga të pranishmit, të cilët edhe vazhdimisht shtronin pyetje, andaj edhe prezantimin mori formën e interaktivitetit. Prezantim u ngjallë edhe më shume me rastin e aktivizimit në debat edhe të dy ekspertëve tjerë të njësive hetimore të Policisë në Prishtinë dhe në Mitrovicë, z. Agron Berisha dhe Qazim Ahmetaj, të cilët analizuan shembuj hipotetik nga kjo dukuri negative.

Në fund, dekani Qerimi falënderoi në emër të tij dhe të Fakultetit Juridik z. Shala, referues i kësaj ligjërate për paraqitjen e të gjithë atyre informacioneve me rëndësi për studentët e Fakultetit Juridik, por edhe në përgjithësi për opinionin e gjerë, si dhe uroi për vullnetin dhe përkushtueshmërinë e kësaj Drejtorie e cila në vazhdimësi po kontribuon edhe përmes kësaj forme të prezantimit në Universitet për senzibilizimin e parandalimit dhe luftimit të çdo forme të korrupsionit, të cilat me theks të veçantë ndikojnë në sigurinë e përgjithshme, stabilitetin e vendit, apo të cilat prekin qytetarët në masë të gjerë.