Takimi I Komisionit

Komisioni i Arsimit shqyrton draft-statutet e universiteteve publike

Pas kalimit të procedurave në Qeveri, draft-statutet e katër universiteteve publike, duke përfshirë edhe Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), janë duke u shqyrtuar në Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport të Kuvendit të Kosovës. Në mbledhjen e këtij komisioni që u mbajt të hënën, UMIB-i është përfaqësuar nga rektori, prof.dr. Alush Musaj dhe Abdyl Beqiri, sekretar i Fakultetit Juridik.

Miratimi i statuteve për këto universitete, vlerësohet shumë me rëndësi për zhvillimin e tyre, duke pasur parasysh se ato ende funksionojnë në bazë të statuteve të përkohshme. Çështja e statuteve ka qenë vërejtje e vazhdueshme edhe gjatë procesit të akreditimit të universiteteve.

Duke pasur parasysh nevojën për miratimin e statutit të UMIB-it dhe universiteteve të tjera që punojnë me statute të përkohshme, ka pasur një angazhim të shtuar në këtë drejtim edhe nga Konferenca e Rektorëve. Në takimet me drejtuesit e institucioneve ata kanë marrë mbështetje sa i përket kësaj çështjeje.