FOTO SIM

Rektori Musaj, anëtar i Komisionit të Nderit në “Simpoziumin ndërkombëtar për shkencat e mjedisit dhe hulumtimet inxhinierike”

Në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar, Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), është bërë pjesë e organizimit të “Simpoziumit ndërkombëtar për shkencat e mjedisit dhe hulumtimet inxhinierike”, që është mbajtur në  Manisa të Turqisë. Në këtë kontekst, rektori i UMIB-it, prof.dr.Alush Musaj, ka qenë pjesë e Komisionit të Nderit në botimin e përgatitur me abstraktet e këtij simpoziumi.

Në këtë aktivitetet shkencor, janë paraqitur me punimet e tyre rreth 50 studiues nga vende të ndryshme të botës. Rektori Musaj, tha se përfshirja në organizimin e kësaj ngjarje të rëndësishme për shkencat e mjedisit, rrit imazhin e UMIB-it në rajon dhe më gjerë.

Sipas tij, këto aktivitete janë të mirëseardhura për zhvillimin e UMIB-it dhe rritjen e bashkëpunimit me universitete prestigjioze nga e gjithë bota. “Të jesh pjesë e organizimit të një ngjarje të tillë, ku marrin pjesë universitete dhe njerëz të shkencës nga e gjithë bota, padyshim se është një lajm jashtëzakonisht i mirë për të ardhmen e UMIB-it”.