Erasmusi

Rektori Musaj, priti në takim drejtuesit e Erasmus+

Mundësitë që ofron programi Erasmus+ vlerësohen shumë të rëndësishme për Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM). Për këto dhe çështje të tjera që ndërlidhen me projektet e Erasmus+ u bisedua të premten në një takim të përbashkët që u zhvillua në UIBM ndërmjet rektorit, prof.dr. Alush Musaj dhe koordinatores së re të Zyrës Erasmus+ në Kosovë, Mimika Dobroshi dhe  përfaqësueses së zyrës, Blerinë Zjaça.

Rektori Musaj, i cili në takim shoqërohej edhe nga prorektorja për Mësimdhënie, Çështje të Studentëve dhe Zhvillim të Cilësisë, prof. ass. dr. Merita Shala dhe prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Kërkime Shkencore, prof.dr. Behxhet Shala, uroi koordinatoren e Erasmus+ për detyrën e re dhe vlerësoi mbështetjen për intensifikimin e bashkëpunimit. “Jemi shumë të kënaqur me mundësitë dhe qasjen tuaj korrekte sa i përket bashkëpunimit”, tha ai.

Në anën tjetër, koordinatorja e Zyrës së Erasmus+, Mimika Dobroshi, tha se përveç mundësive për projekte nga universitetet, prej tetorit do të fillojnë edhe programe të reja që do të mbulojnë inovacionin, sportin rininë etj. “Shpresojmë se në bazë të programeve të reja do të shohim edhe rritje të interesimit për të përfituar prej tyre”..

Në këtë kontekst, u shtrua nevoja për trajnime të stafit nga universitetet sa i përket përgatitjes së projekteve. Lidhur me këtë u theksua se ka mundësi dhe bashkërisht do të gjenden modalitetet më të mira për të ndihmuar universitetet.