ASHSH

Rektori Musaj, priti në takim nënkryetarin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, prof.dr. Neki Frashëri

Rektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), prof.dr. Alush Musaj, dhe dekani i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore, prof.asoc.dr. Milaim Sadiku, kanë pritur në takim nënkryetarin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, prof.dr. Neki Frashëri, akademikun, Ilirjan Malollari dhe profesoreshën, Lorina Liqi. Mysafirët nga Shqipëria ishin pjesë e “Konferencës IV Ndërkombëtare Multidisiplinare për Gjeoshkencat (IMGC 2022)” që ka filluar të enjten në UIBM.

Rektori Musaj, i falënderoi mysafirët për pjesëmarrjen e tyre në këtë ngjarje të shënuar në UIBM, duke pasur parasysh karakterin e saj ndërkombëtar. Në anën tjetër, ata vlerësuan organizimin dhe punën e mirë që po bëhet në UIBM.

Në takim u bisedua për nevojën e bashkërendimit të aktiviteteve me karakter shkencor të universiteteve nga Shqipëria dhe Kosova.