Objekti 1

Rektori Musaj, uron studentët dhe stafin akademik për fillimin e vitit të ri akademik

Rektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, prof.dr.Alush Musaj, uron studentët, stafin akademik dhe administratën me rastin e fillimit të vitit të ri akademik. Ai  uron për një vit të suksesshëm akademik dhe të frytshëm për të gjithë.

Rektori Musaj, përkujton se ky është viti i dytë akademik që nis në kampusin e ri universitar, ku janë krijuar kushte jashtëzakonisht të mira pune. Ai gjithashtu cek vazhdimin e punës që është duke u bërë brenda kampusit për objektin tjetër për studentë që është në proces të ndërtimit si dhe konviktin dhe mensën që gjithashtu kanë filluar të ndërtohen.

Poashtu së shpejti, sipas tij, do të nis edhe ndërtimi i fushave sportive për studentë, duke i dhënë gradualisht kampusit pamjen përfundimtare. “Jemi shumë të kënaqur me punën që po bëhet në kampus dhe jemi shumë të vendosur që këtë universitet ta shndërrojmë në një storie suksesi”.

Rektori Musaj, shpreh keqardhje për mosakreditimin institucional për këtë vit akademik, që ka pamundësuar edhe pranimin e studentëve të rinj. “Jepi tepër të indinjuar me procesin e degraduar sa i përket akreditimit, meqë nuk është marrë parasysh gjendja faktike dhe së fundi as nuk është trajtuar ankesa që e kemi bërë. Megjithatë ne jemi shumë të vendosur dhe të përkushtuar që ky universitet të konsolidohet dhe të bëhet vatër e studentëve dhe shkencëtarëve të rinj”.

Me rastin e fillimit të vitit të ri akademik, rektori Musaj, përkujton protestat studentore të 1 tetorit 1997, si një ngjarje që shënon fillimin e fundit të regjimit serb në Kosovë. “Vrulli i studentëve i ka hapur rrugë lirisë së Kosovës, ndërsa tani do t’i hap rrugë forcimit të shtetit të Kosovës”.