Me Studentete

Tre studentë të UMIB-it përfunduan masterin në Bullgari

Studentët e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (UMIB); Lorikë Salihu, Hasan Cena dhe Albulena Zhara, i kanë përfunduar studimet e masterit dhe kanë diplomuar në Universitetin e Sofjes në Bullgari, në Departamentin e Bioteknologjisë, nëpërmjet programit Erasmusmundus (green tech). Të tre këta studentë i kanë mbaruar  studimet në nivelin bachelor në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore në Mitrovicë.

Ata janë pritur të enjten në një takim nga rektori i Univesitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Alush Musaj dhe dekani i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore, Milaim Sadiku. Rektori dhe dekani i kanë uruar studentët për suksesin e arritur, të cilët do të shërbejnë si shembull i mirë për  studentët tjerë në Universitetin “Isa Boletini”.

Rektori Musaj, tha se arritjet e këtyre studentëve padyshim se do të motivojnë edhe kolegët e tyre më të rinj në rrugën e shkencës. “Ne jemi krenar me ju dhe do të jemi pranë jush sa herë që keni  nevojë”, premtoi ai.

Ndërsa, dekani Sadiku, theksoi se studentët e Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore janë treguar mjaft të shkathtë duke përfituar nëpërmjet projekteve të ndryshme ndërkombëtare në fushën e arsimit të lartë. Ai gjithashtu premtoi mbështetje për të gjithë studentët në këtë drejtim.

Studentët e diplomuar në Bullgari shprehën gatishmërinë për të organizuar takime me studentët e UMIB-it,  për t’i informuar për procedurat që duhet të  ndjekin për të studiuar jashtë vendit dhe për të gjëra të tjera të kësaj natyre.