Foto 1

U mbajt konferenca finale e projektit “DualAFS”

Projekti ERASMUS+ Kurrikulat DUALE – Studimi dhe Puna Praktike në Bujqësi dhe Siguri Ushqimore (DualAFS), ka përmbyllur me sukses konferencën finale me temë “Arsimi universitar i dyfishtë – një model premtues për përmirësim trajnimi praktik dhe suksesi në punësim i studentëve në shkencat bujqësore dhe ushqimore”. Konferenca u mbajt në Universitetin Bujqësor të Tiranës.

Universiteti “Isa Boletini” Mitrovicë (UIBM) si një nga partnerët në projektin “DualAFS” u përfaqësua nga rektorja, prof.asoc.dr. Merita Shala, anëtarja e këshillit drejtues, ass. Fatbardha Hoxha, menaxheri lokal i projektit, dr.sc. Arbër Hyseni, profesorët: prof.asoc.dr. Milaim Sadiku, prof.asoc.dr. Valdet Gjinovci dhe sekretari i përgjithshëm i UIBM, Avdyl Beqiri.

Rektorja Shala, në fjalimin përshëndetës falënderoi koordinatorin e projektit Universitetin Nürtingen-Geislingen dhe “Savonia University of Applied Sciences” si dhe universitetet partnere në projekt. Ajo prezantoi UIBM dhe të arriturat gjatë këtij rrugëtimi të suksesshëm. “Përditësimi i kurrikulave, krijimi i klasës hibride përmes së cilës aplikohet mësimi online (e-learning) që ju mundëson  studentëve  të ndjekin ligjërata nga profesorët e huaj, mobilitetet e studentëve, stafit akademik dhe personelit të laboratorëve, krijimi i njësisë për LLL etj., kanë ndikuar drejtpërdrejtë në rritjen e cilësisë së përmbajtjeve të programit dhe të zbatimit të tij në fakultetin e Teknologjisë Ushqimore”, tha rektorja Shala. Ajo ofroi mbështetjen e plotë të UIBM në realizimin e  aktiviteteve në vazhdim të këtij projekti dhe gatishmërinë e universitetit për të thelluar bashkëpunimet ndërinstitucionale.

Gjatë konferencës fokus kryesor ishte fuqizimi i praktikës profesionale për të cilën të gjithë partnerët ndanë prezantime dhe paraqitën rezultatet e arritura në këtë drejtim. Universitetet partnere në Shqipëri, UBT dhe UNIKO zhvilluan kurrikula duale ndërsa në Kosovë, UIBM dhe UPHP përditësuan kurrikulat.

Mbi të gjitha pritet që rrjetëzimi i krijuar të vazhdohet me marrëveshje bashkëpunimi në mes universiteteve që do të mundësojnë projekte për ngritjen e kapaciteteve, hulumtimit shkencor dhe vazhdimin e shkëmbimit të studentëve, stafit akademik dhe laborantëve të UIBM-së.

Foto 3