Ses1

U mbajt sesion informues me studentët e rinj në UIBM

Studentët që kanë nisur studimet në vitin akademik 2022/23 në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), kanë marrë pjesë të martën në një sesion informues në lidhje me informim, shërbimet studentore, përdorimin e SMU-së, Bibliotekën dhe Qendrën e Karrierës etj.  Interesimi i studentëve për këtë sesion informues që u mbajt në Amfiteatrin 1 ishte mjaft i madh.

Të pranishmit i ka përshëndetur drejtori i Zyrës për Informim dhe Komunikim me Publikun, Ahmet Jashari, i cili ju ka uruar mirëseardhje dhe i ka njoftuar për mënyrat dhe mjetet që përdoren në UIBM për informimin e studentëve. Në këtë kontekst, ai ka përmendur uebfqen, rrjetet sociale, broshurat, sesionet informuese etj.

Ndërsa, drejtori për Shërbime të Studentëve, Kastriot Xhema, ka folur para studentëve për shërbimet që ofron zyra, si dhe për të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre. Ai kërkoi prej studentëve që të lexojnë edhe rregulloret për përgjegjësitë dhe obligimet që ata kanë.

Zyrtari i administratorit të rrjetit, Zymber Haliti, ua sqaroi studentëve procesin për përdorimin e SMU -së. Ai përmendi modulet që ofron kjo platformë e cila është në dispozicion të studentëve në UIBM.

Udhëheqësi i Bibliotekës Universitare, Alban Fazliu, foli për fondin librar që është në dispozicion të studentëve, për orarin e punës në bibliotekë dhe rregullat e sjelljes gjatë qëndrimit në bibliotekë. Ai gjithashtu ua sqaroi studentëve punën e Qendrës së Karrierës, trajnimet dhe aktivitet që organizon. Pjesë e sesionit informues ishte edhe Valentina Bajrami nga Zyra për Shërbime të Studentëve dhe Bardh Miftari, zyrtar i IT-së.

Ses1