Tryeza

U mbajt tryeza me temë: “Bashkëpunimi i palëve të interesit nga niveli lokal dhe qendror në adresimin e nevojave të punësimit”

Në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) u mbajt të hënën një tryezë diskutimi me temë: “Bashkëpunimi i palëve të interesit nga niveli lokal dhe qendror në adresimin e nevojave të punësimit”. Në këtë tryezë të organizuar nga Drejtoria për Ekonomi, Zhvillim dhe Turizëm e Komunës së Mitrovicës dhe Fakultetit Ekonomik në UIBM, përveç drejtuesve komunalë dhe atyre nga UIBM, ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga organizata vendore dhe ndërkombëtare, përfaqësues të bizneseve etj.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, potencoi rëndësinë e koordinimit të palëve të interesit sa i përket nevoja të punësimit. Ai tha se ka nevojë për kuadro të fushave teknike, meqë tregu i punës është i hapur dhe ofron mundësi të mëdha për ta.

Ndërsa, prorektori, prof.dr. Behxhet Shala, tha se UIBM është hapur për palët e interesit, duke përfshirë instiucionet dhe biznesin, me qëllim të përshtatjes së programeve me tregun e punës. Në këtë kontekst, ai përmendi trupat profesionale që janë hapur në kuadër të UIBM dhe njësive akademike veç e veç, ku janë të përfshirë përfaqësues nga jeta akademike, institucionet dhe biznesi.

Në pjesën e dytë të tryezës është vazhduar me diskutime nga një panel i përbërë nga: Elvis Feka, drejtor për Ekonomi, Zhvillim dhe Turizëm në Komunën e Mitrovicës, prof.ass.dr. Filloreta Demiri, prodekane e Fakultetit Ekonomik,  Vjosa Mullatahiri nga GIZ Kosova, Diedon Kica nga InstaBuilt dhe Shqipe Kurti nga Caritas Kosova. Gjithashtu pjesë e diskutimit janë bërë edhe pjesëmarrësit tjerë.