Tryezaa

U mbajt tryeza për  nevojat e tregut të punës që ndikojnë në fuqizimin e lidhjes midis zhvillimit akademik dhe profesional për studentët e Fakultetit Ekonomik

Në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) u mbajt të enjten një tryezë e rrumbullakët ku u diskutua për  nevojat e tregut të punës që ndikojnë në fuqizimin e lidhjes midis zhvillimit akademik dhe profesional për studentët e Fakultetit Ekonomik. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe përfaqësues nga institucionet lokale dhe qendrore, organizata të ndryshme, biznese etj.

Dekani i Fakultetit Ekonomik, prof.dr. Qazim Tmava, ka falënderuar të pranishmit që kanë treguar interesim dhe kanë gjetur kohë për të marrë pjesë në këtë organizim. Ndërsa duke folur për temën e tryezës, ai theksoi se tashmë ndërlidhja ndërmjet universitetit – industrisë dhe qeverisë është imperativ i kohës që ndikon edhe në vetë zhvillimin shoqëror.

Ndërsa, rektori i UIBM, prof.dr. Alush Musaj,  përgëzoi organizatorët e tryezës, dekanin e Fakultetit Ekonomik, Qazim Tmava, profesoreshën, Filloreta Demiri Kunoviku dhe të gjithë ata që kanë qenë pjesë e organizimit. Ai tha se ka qenë synim i vazhdueshëm prej fillimi që universiteti të integrohet fuqishëm si një katalizator i zhvillimit të shoqërisë, duke ofruar pjesën akademike.

Sipas tij, nga prezantimet që janë parë prej kompanive me të cilat Fakulteti Ekonomik bashkëpunon, studentët tanë kanë treguar nivel shumë të mirë, duke í bërë ata konkurrent në tregun e punës.  “Në rrethanat e reja, nevojat e tregut të punës gradualisht po imponohen si faktorë kryesorë edhe për hapjen dhe përshtatjen e programeve të studimit“.

Rektori Musaj, tha se në UIBM si dhe në të gjitha njësitë akademike veç e veç, janë krijuar trupa të përbashkët këshillëdhënës, që përbëhen prej profesorëve, studentëve, njerëzve të biznesit dhe shoqërisë civile, dhe ku diskutohet për programet e reja si dhe përshtatjen e kurrikulave. “Mund të them me bindje të plotë se jemi në rrugë të mbarë për të krijuar një institucion model sa i përket bashkëpunimit me komunitetin jashtëuniversitar, si një mënyrë për te qenë sa më afër me trendet zhvillimore“.

Në tryezë kanë folur edhe përfaqësues të institucioneve, organizatave dhe biznesit, si  Vesa Broja, kryesuese e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës, Leona Kovaqi, përfaqësuese e Agjencionit të Kosovës për Akreditim, Nehat Dervishi, përfaqësues nga HERAS+ etj.