Tryeza E Fgj

U mbajt tryeza shkencore: “Sfidat dhe mundësitë e metalurgjisë së ferrolegurave në Kosovë”

Në Fakultetin e Gjeoshkencave u mbajt të martën tryeza shkencore: “Sfidat dhe mundësitë e metalurgjisë së ferrolegurave në Kosovë”, ku përveç drejtuesve, mësimdhënësve dhe studentëve të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) ishin të pranishëm edhe drejtues dhe përfaqësues të ndërmarrjeve të ndryshme publike dhe private në Kosovë. Tryeza shkencore u mbajt në kuadër të aktiviteteve nga “Programi për Universitetet e Kosovës”, gjegjësisht projektit “QAINT”, mbështetur nga  Ministria e Arsimit Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI).

Prof.dr. Zarife Bajraktari Gashi nga Fakulteti i Gjeoshkencave, tha se tryeza është pjesë e projektit: “Mësimdhënia e bazuar në hulumtim”, ku marrin pjesë studentët, maturantët,  profesorët nga Fakulteti i Gjeoshkencave, ekipi i hulumtimit, profesionistë nga “New Co “Ferronikeli”, Instituti “Ballkan Projekt”, “Sharrcem”, Fonderia E&E Gjakovë, përfaqesues nga  MASHTI, profesorët nga shkollat profesionale: “Fehmi Ladrovci”, Drenas,  “Arkitek Sinani” në Mitrovicë,  gjimnazi “Hamëz Jashari”, shkolla profesionale” Anton Qeta” në Skenderaj dhe nga  universitet e  Maqedonisë së Veriut. Si bartëse e hulumtimit ajo ka falënderuar të gjithë për praninë dhe kontributin në tryezën e mbajtur në UIBM, duke uruar që objektivat kërkimore të jenë udhërrëfyes dhe referenca të vlefshme në zgjidhjen e vështirësive në industrinë e ferrolegurave.