06

UIBM renditet i dyti në kuadër të universiteteve publike nga “Kosovo National H-index Ranking 2023”

Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) është renditur në vendin e dytë në kuadër të universiteteve publike në ranglistën e “Kosovo National H-index Ranking 2023”. Edhe në vitin paraprak UIBM ka mbajtur këtë vend në ranglistën e INHR – së.

“Kosovo National National H-index Ranking” është një renditje e pavarur ndërkombëtare që synon të vlerësojë produktivitetin shkencor të shkencëtarëve, grupeve kërkimore dhe organizatave në Kosovë bazuar në H-indeksin e konsoliduar. Renditja merr parasysh H-indeksin e përgjithshëm të institucioneve shkencore të Kosovës, duke iu referuar informacioneve nga bazat e të dhënave dhe platformat: Scopus, Ëeb of Science dhe Google Scholar.

Bazuar në këto të dhëna, formohet treguesi “National H-index Ranking” dhe pozicioni përkatës në renditje (pozicionet). Në “Web of Science” dhe  “Google Scholar”, UIBM ka dalur i dyti, ndërsa në “Scopus” i treti në nivel të universiteteve publike.

Krahasuar me vitin paraprak në vitin 2023 janë dyfishuar publikimet shkencore të stafit akademik të UIBM në “Scopus” dhe “Web of Science”. UIBM ka strategji mbështetjen e stafit akademik në fuqizimin e kapaciteteve kërkimore.