Webometrics.

UIBM renditet i dyti nga webometrics në mesin e universiteteve publike në Kosovë

Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) është renditur i dyti në mesin e universiteteve publike në Kosovë në ranglistën e publikuar nga webometrics në janar 2022. Në mesin e 31 mijë universiteteve nga e gjithë bota, UIBM në ranglistë është renditur në vendin e 12 909, duke shënuar ngritje për 38 vende në krahasim me vitin e kaluar.

Ka disa vite që UIBM vazhdon të ngritët në këtë ranglistë ndërkombëtare që freskohet dy herë në vit. Sipas sqarimeve nga webometrics, indikatorë matës për rangimin e universiteteve merren: Visibiliteti i webit, transparenca ( studiuesit më të cituar) dhe ekselenca (punimet më të cituara).

Rektori i UIBM, prof.dr. Alush Musaj, tha se ngritja e vazhdueshme në ranglistën e webometris është tregues i punës së mirë që po bëhet në këtë institucion të arsimit të lartë në Kosovë. “Jemi jashtëzakonisht të inkurajuar me vlerësimin, duke pasur parasysh rëndësinë që kanë për një universitet indikatorët matës që përdoren nga webometris”, theksoi ai.

UIBM ka dalur në vend të dytë në nivel vendi edhe në ranglistën e webometrics që ka pasur si indikator matës citimet e bazuara në google schoolar të publikuar para disa ditësh.