Marreveshja Ne Ministri

UMIB-i bëhet pjesë e Rrjetit Kombëtar për Hulumtim dhe Edukim

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, ka nënshkruar të martën Marrëveshje Mirëkuptimi me Institucionet e Arsimit të Lartë të Kosovës, me qëllim kyçjen e tyre në Rrjetin Kombëtar për Hulumtim dhe Edukim (KREN). Pjesë e këtij organizimi ishte edhe rektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, prof.dr.Alush Musaj, i cili poashtu nënshkroi Marrëveshjen e Mirëkuptimit për t’u bërë pjesë e këtij rrjeti.

Në marrëveshje potencohet interesi i përbashkët në promovimin e lidhjeve të ngushta në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimeve, mandej rëndësia e infrastrukturës digjitale në zhvillimin e mirëqenies ekonomike e sociale. Në këtë kontekst, vlerësohet fokusi në nxitjen e zhvillimit dhe shfrytëzimit të infrastrukturës brezgjerë telekomunikuese dhe krijimin e kushteve të përshtatshme për mbarëvajtje cilësore të procesit mësimor në rrethanat aktuale dhe ato të jashtëzakonshme.

KREN  pretendon që të arrijë zhvillim duke i siguruar IAL-ve qasje në resurse të ndryshme digjitale, si qasje në IT, infrastrukturë moderne, shërbime të ndryshme digjitale, qasje në literaturë, si edhe të ofrojë bashkëpunim mes institucioneve arsimore brenda dhe jashtë kufirit të Kosovës. Qëllim kryesor mbetet promovimi i zhvillimit ekonomik dhe rritja e punësimit përmes involvimit të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, në veçanti mundësimit të qasjes në resurse të teknologjisë dhe dijes për studentë dhe profesorë të të gjitha universiteteve dhe kolegjeve në Kosovë.

Rektori Musaj, e ka vlerësuar si një projekt jashtëzakonisht të rëndësishëm për IAL-të. Ai ka specifikuar UMIB-in si një institucion që mund të përfitoj shumë, duke pasur parasysh natyrën e programeve, stafin dhe infrastrukturën moderne që ka.