Albani

Qendra e Karrierës në UEJL mbështet QZHK në UMIB

Qendra për Zhvillim të Karrierës (QZHK) në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB) do të bashkëpunoj ngushtë me Qendrën për Karrierë në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL) në Tetovë me qëllim të krijimit të mundësive më të mëdha për organizimin e trajnimeve profesionale për studentë. Për këtë u dakorduan zyrtari i QZHK-së në UMIB, Alban Fazliu dhe drejtoresha e Qendrës për Karrierë në UEJL, Burbuqe Kaprolli-Hamzai.

Gjatë takimit që u zhvillua në UEJL, u bisedua për mënyrat e bashkëpunimit ndërmjet Qendrave të Karrierës, të cilat janë shumë të rëndësishme për studentët. Të dyja palët shprehën vullnetin e plotë për t’u bërë pjesë e projekteve të përbashkëta, që do të ofrojnë mundësi për zhvillimin profesional të studentëve.

Fazliu e falënderoi drejtoreshën Hamzai për mbështetje, duke pasur parasysh se Qendra për Zhvillim të Karrierës në UMIB ka vetëm një vit prej se është themeluar. “Duke pasur parasysh përvojën tuaj në këtë drejtim dhe faktin se në UMIB vonë është themeluar QZHK-ja, mbështetja juaj do të na ndihmoj shumë për zhvillimin tonë”, tha ai.

Në këtë kontekst, u bisedua për organizimin e trajnimeve për studentët e UMIB-it në bashkëpunim me Qendrën e Karrierës në UEJL. Trajnimet sipas rrethanave të krijuara nga pandemia me Covid-19, do të organizohen në UMIB ose online.