Web 3

Universiteti “Isa Boletini”, renditet i dyti në nivel vendi sipas Webometrix

Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) edhe sivjet është renditur i dyti në nivel vendi si universitet publik nga Webometrix. Në përditësimin e fundit të publikuar nga Webometrics (Spanish National Research Council), në mesin e 29 mijë universiteteve nga i gjithë globi, UIBM është renditur në vendin e 10449.

Krahasuar me vitin e kaluar, kur ishte në vendin e 12970, sivjet ka shënuar ngritje për 2521 vende në ranglistën e Webometrix. Kjo është mirëpritur nga drejtuesit e UIBM, të cilët thonë se tashmë institucioni është i konsoliduar dhe i fokusuar tërësisht në ngritjen e cilësisë.

Rektori, prof.dr. Alush Musaj, theksoi se në të gjitha matjet që kanë të bëjnë me universitetet publike në vend, UIBM po qëndron jashtëzakonisht mirë. „Kjo është meritë e punës së jashtëzakonshme që po bëhet në këtë institucion akademik, duke ofruar një mundësi shumë të mirë për të gjithë ata që duan të studiojnë dhe zgjedhin programe atraktive për tregun e punës“.