Nga Marreveshja E Bashkepunimit Me IADK

FTU-ja bashkëpunon me Iniciativën për Zhvillimin e Bujqësisë së  Kosovës

Drejtuesit e Iniciativës për Zhvillimin e Bujqësisë së  Kosovës (IADK) dhe Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore (FTU) në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), janë dakorduar për bashkëpunim të afërt në fushën e arsimit dhe punës praktike në sektorin e teknologjisë së ushqimit. Për të specifikuar përgjegjësitë dhe obligimet e secilës palë të mërkurën u nënshkrua edhe një Marrëveshje Bashkëpunimi nga dekani i FTU-së, prof.asoc.dr. Milaim Sadiku dhe drejtori ekzekutiv i IADK-së, Zenel Bunjaku.

Dekani Sadiku e vlerësoi shumë bashkëpunimim me IADK-në, duke pasur parasysh prestigjin e mirë të kësaj organizate. Gjithashtu i kënaqur u shpreh edhe drejtori i IADK-së, Bunjaku, i cili theksoi se tashmë kanë krijuar një traditë të mirë bashkëpunimi me UMIB-in.

Nga marrëveshja planifikohet që përfitues të jenë studentët, stafi akademik dhe menaxherial i FTU-së, stafi i IADK-së dhe kandidatët potencial që do të ndjekin trajnimet profesionale të organizuar nga IADK-ja. Në këtë kuadër palët janë pajtuar që të ofrojnë mbështetje për stafin, mësimdhënësit  dhe studentët/kandidatët në proceset e hulumtimeve/trajnimeve në fushën e teknologjisë ushqimore, që kanë interes të dyanshëm.

Sipas marrëveshjes, IADK-ja, obligohet që me kohë të informoj FTU-në, për kohën e mbajtjes së trajnimeve praktike me kandidatёt në laboratoret e FTU-së, të informoj FTU-në për mundësitë  e aplikimit në organizata të ndryshme për përfitimin e granteve etj. Ndërsa FTU-ja obligohet që të lejoj shfrytëzimin e hapësirave/pajisjve laboratorike  nga ekspertët e IADK-së gjatë trajnimit me kandidatët, duke u dakorduar paraprakisht pёr kohёn e mbajtjes sё trajnimeve etj.