Tryeza 3

Ish-studentët rrëfejnë rrugëtimin e tyre në 8-vjetorin e UIBM

Në një tryezë të organizuar nga Parlamenti Studentor me rastin e 8-vjetorit të themelimit të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), ish-studentët kanë rrëfyer për rrugëtimin e tyre gjatë dhe pas studimeve. Ata kanë folur për arritjet dhe sfidat që kanë pasur gjatë kësaj periudhe kohore.

Ish-studentët: Gresa Jashari, Enisa Bashota, Ensar Suma dhe Altina Kamberi, kanë potencuar faktin se studimet në UIBM ju kanë ndihmuar jashtëzakonisht shumë që të ofrohen me tregun e punës. Sipas tyre, puna praktike që kanë kryer gjatë studimeve është treguar shumë e rëndësishme për ta sa i përket punësimit.

Kryetarja e Parlamentit Studentor, Edona Haxhimehmeti, tha se në UIBM ka një frymë jashtëzakonisht të mirë ndërmjet menaxhmentit dhe studentëve. Sipas saj, studentët janë të përfaqësuar në të gjithë mekanizmat vendimmarrës në UIBM dhe kjo patjetër se ka krijuar një klimë shumë të mirë bashkëpunimi.

Ndërsa, rektori, prof.dr. Alush Musaj, tha se studentët gjatë gjithë kohës kanë qenë insistues dhe kjo ka pasur efekt pozitiv. “Janë 8 vjet prej themelimit të UIBM dhe tashmë po shohim ndryshime të mëdha. Jemi vendosur në kampusin më të mirë në rajon, me kushte jashtëzakonisht moderne. Suksesi i studentëve padyshim që na bën një rrëfim suksesi si institucion”, tha ai.