Lubjana

Marrëveshje me Universitetin e Lubjanës për shkëmbime të stafit akademik

Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB) dhe Universiteti i Lubjanës do të realizojnë një projekt të përbashkët për shkëmbimin e stafit akademik në kuadër të programit Erasmus+. Për detajet e bashkëpunimit është nënshkruar edhe një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet këtyre dy universiteteve të nënshkruara nga rektorët, prof.dr.Alush Musaj dhe prof.dr.Igor Papiç.

Dy rektorët nëpërmjet marrëveshjes për bashkëpunim kanë shprehur zotimin për të respektuar kërkesat e cilësisë së Kartës Erasmus për Edukimin e Lartë në të gjitha aspektet e organizimit dhe menaxhimit të lëvizshmërisë, në veçanti njohjen e kredive (ose ekuivalente) të dhëna studentëve nga institucioni partner.

Sipas projektit të mbështetur nga Erasmus+, do të mbështeten 2 profesorë të Universitetit të Lubjanës për shkëmbime në UMIB dhe 2 profesorë të UMIB-it në Lubjanë. Shkëmbimet duhet të realizojmë deri në fund të vitit 2022.

Në marrëveshjen e nënshkruar nga të dy rektorët, potencohet detajet që kanë të bëjnë me projektin e shkëmbimit si dhe përgjegjësitë që kanë institucionet e arsimit të lartë të vendosur në një vend partner të Erasmus+. Në këtë kontekst, palët janë dakorduar që të respektohen plotësisht  parimet e mosdiskriminimit dhe sigurimin e qasjes së barabartë dhe mundësive për pjesëmarrësit.