IADK

Përfaqësues të UIBM morën pjesë në përurimin e objektit të IADK -së për trajnime profesionale

IADK-ja ka përuruar të mërkurën në Vushtrri objektin prej 210 metrash katrorë, të dedikuar për përpunim të ushqimit dhe trajnime profesionale, i cili do të jetë në dispozicion edhe të studentëve dhe mësimdhënëseve të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM). Hapësira e përuruar do të shfrytëzohet konkretisht për trajnime profesionale në programet “Qumështar” dhe “Konservues i frutave, perimeve dhe të ngjashme”, të akredituara dhe validuara nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve.

Në ceremoninë e përurimit, përveç drejtuesve të institucioneve qendrore dhe lokale, morën pjesë edhe prorektorja për Financa në UIBM, Ajtene Avdullahi dhe dekani i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore (FTU), Milaim Sadiku. Gjithashtu të pranishëm ishin edhe ish-studentë të UIBM, të cilët janë angazhuar në IADK.

Aktiviteti ishte pjesë e projektit “Përmirësimi i punësimit dhe mundësive për gjenerim të të ardhurave në zonat rurale të Kosovës”, të përkrahur nga “Bread for the word” nga Gjermania dhe bashkëfinancuar nga Komuna e Vushtrrisë.