Foto Ushtimet

Studentët e Teknologjisë Ushqimore realizojnë punën praktike në shtëpi

Përveç ligjëratave online që janë duke u mbajtur rregullisht në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB),  si pasojë e rrethanave të krijuara nga Covid-19, studentë të këtij universiteti janë duke gjetur mënyra edhe për punë praktike.  Studentët e vitit të dytë të Teknologjisë Ushqimore, me mbështetje të asistentit, Bahtir Hyseni, gjatë këtyre ditëve kanë kryer punën praktike në kushte shtëpie.

Sipas Hysenit, studentët kanë treguar vullnet për  të provuar punën praktike edhe në rrethanat e krijuara dhe  ia kanë dalur me sukses. “Ata kanë realizuar punë eksperimentale në lëndët si: “Biokimia e Përgjithshme”,  “Materiale me Prejardhje Shtazore”, “Materiale me Prejardhje Bimore etj”.

Ai tregoi se studentët gjatë mësimit online, në kohën e ushtrimeve, marrin sqarime dhe japin ide se si mund të zëvendësohen mjetet laboratorike në kushte shtëpie, duke pasur parasysh fillimisht sigurinë e studentëve. “Në rastet kur eksperimenti është i realizueshëm në kushte shtëpie dhe nuk paraqet ndonjë rrezik për studentin, atëherë aprovohet nga asistenti i lëndës dhe secili realizon eksperimentin  në shtëpi”.

Sipas tij, kjo mënyrë e punës po tregohet e suksesshme dhe nga videoraportet dhe raportet e shkruara prej tyre,  krijohet mundësi e  vlerësimit të studentëve.