Image 50364673

Studentët e UIBM dolën fitues në garën për siguri kibernetike si pjesë e ngjarjes CED Balkans 2021

Studentët e Departamentit Informatikë Inxhinierike nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike (FIMK) të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) ngadhënjyen në garën “Hackathon” të llojit Capture the Flag, të organizuar si pjesë e ngjarjes CED Ballkans 2021 nga organizata CRDF Global më përkrahje nga Departamenti i Shtetit. Gjatë garës pjesëmarrësit duhej të mbronin sigurinë dhe integritetin e një objekti infrastukturor virtual duke qenë pjesë e një ekipi real të sigurisë kibernetike.

Ngjarja u zhvillua përgjatë dy ditëve, dhe në të morën pjesë dy ekipe nga Universiteti “Isa Boletini” si dhe studentë nga vendet e Ballkanit, përkatësisht Shqipëria, Maqedonia Veriore, Mali i Zi, dhe Bosnjë dhe Hercegovina. Në fund, studentët fitues, Valton Tahiri, Armend Binaku, Eron Mahmuti dhe Fisnik Murati u shpërblyen me kuponë për të ndjekur një nga certifikimet më të njohura në botë për siguri kibernetike Certified Ethical Hacker (CEH).

Gjithashtu këta studentë do ta përfaqësojnë vendin në garën e ardhshme në muajin shator 2021, ku fituesit do të kenë mundësi të shpërblehen me një vizitë studimore në SHBA. Shefi i departamentit, profesori Berat Ujkani, përgëzoi studentët fitues duke shtuar se studentët kanë qenë të motivuar fortë dhe i inkurajoi ata për punë dhe suksese të mëtejme. “Studentët kanë treguar përkushtim dhe vullnet, prandaj ia kanë dalur që të na nderojnë me vendin e parë”, theksoi ai.