U mbajt ceremonia e diplomimit për vitin akademik 2022/23

Në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), u mbajt të mërkurën  ceremonia e diplomimit për vitin akademik 2022/23. Të pranishëm në këtë ceremoni festive, përveç menaxhmentit, stafit akademik dhe stafit të administratës së UIBM, ishin edhe familjarë dhe mysafirë të shumtë.

Rektorja e UIBM, prof.asoc.dr. Merita Shala, ka uruar të diplomuarit dhe familjarët e tyre. Ajo ka shprehur kënaqësinë për arritjet dhe sukseset e studentëve të UIBM, duke i bërë krenarë familjet e tyre si dhe stafin akademik që ka punuar me ta.

Në emër të ish-studentëve, të pranishmëve ju ka drejtuar, Ariona Rushiti, e cila tha se ka qenë kënaqësi me qenë pjesë e UIBM. Ndërsa, studentja senatore, Elmedina Kurti, përgëzoi studentët dhe potencoi faktin e mbështetjes që ofron menaxhmenti i UIBM për studentët.

Ndërsa, Ahmet Jetullahu, foli në emër të organizatës Prishtina REA. Ai u përqëndruara në qasjen e UIBM për bashkëpunim me biznesin, duke ofruar mundësi të mëdha edhe për studentët sa i përket punës praktike, por edhe punësimit.

Të pranishmëve ju drejtua edhe ish – rektori i UIBM, prof.dr. Alush Musaj, i cili uroi të diplomuarit  dhe shtoi se ata janë ambasadorët e universitetit, qytetit dhe vendit. “Ju duhet të vazhdoni rrugën e dijes, rrugën e suksesit, për vete dhe për familjet tuaja. Ju duhet të qëndroni në atdhe, ju duhet të ndërtoni jetën këtu, ju duhet ta bëni veten dhe atdheun të lumtur”, tha ai.

Në fund menaxhmenti, dekanët, stafi akademik dhe studentët realizuan foto të përbashkët në ambientet e jashtme të kampusit universitar.