Ditaa

U mbajt “Dita informuese” për programin “Horizon Europe”

Me qëllim të promovimit të programit “Horzon Europe dhe Asociacionin COST”,  në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) u mbajt të enjten “Ditë informuese”, ku ishin të pranishëm prorektorë, mësimdhënës, asistentë, studentë etj. Aktivitetin e ka hapur prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Kërkime Shkencore, prof.dr. Behxhet Shala, i cili ka shprehur kënaqësinë për organizimin e një ngjarje të tillë për të gjithë ata që janë të interesuar të mësojnë më shumë për mundësitë që ofron program “Horizon Europe”.

Andi Batusha, zyrtar i Lartë për Asistencë Zhvillimore në Zyrën e Bashkëpunimit për Zhvillim nga Zyra e Kryeministrit, foli  ciklin e ri të bashkëpunimit me BE-në, ku janë nënshkruar marrëveshje dhe janë bërë aktivitete të shtuara që edhe komuniteti shkencor të jetë përfitues në programet e BE-së. Ai tha se përkundër faktit që Kosova është rishtas në programet e BE-së për projektet shkencore, ideja është që të krijohen mundësi që të transferohen përvojat e mira.

Ndërsa, Qamile Sinanaj, koordinatore Nacionale për programin “Horizon Europe”, u fokusua në politikat e këtyre programeve. Ajo theksoi se Kosova është relativisht mirë krahasuar me rajonin. “Prej 105 aplikimeve në këtë program në vitin 2020, kanë përfituar 21 projekte”, tha ajo.

Për mundësitë që ofron “Horzon Europe”, foli, Arben Papadhopulli, udhëheqës i projektit “Support to Kosovo with Union Programmes/ Technical Assistance Project”. Sipas tij, “Horizon Europe” është program i madh evropian në fushën e teknologjisë dhe inovacionit dhe Kosova është anëtare më të drejta të barabarta.

Ai tërhoqi vërejtjen për kriteret rigoroze, kompetencën dhe përkushtimin që kërkojnë projektet në këtë program.