Mbledhja Komemorative

U mbajt Mbledhje Komemorative për prof.dr. Isa Tahirin

Drejtues të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), mësimdhënës, studentë, miq dhe familjarë, kanë marrë pjesë të enjten në Mbledhjen Komemorative kushtuar profesorit, Isa Tahiri, i cili u nda nga jeta më 6 qershor 2022. I ndjeri ishte profesor në Fakultetin Ekonomik në UIBM dhe vdekja e gjeti në moshën 64 vjeçare.

Rektori i UIBM, prof.dr. Alush Musaj, tha se Universiteti “Isa Boletini”, ka pasur fatin dhe privilegjin që në mesin e stafit akademik ta ketë një mësimdhënës sikur profesor Tahiri, me një sfond të pasur shkencor e intelektual. “Ai u nda papritmas prej nesh, prej studentëve, prej familjes. Neve do të na mungojë kolegu korrekt, studentëve pedagogu i përkushtuar, ndërsa familjes kryefamiljari shembullor. Ai gjithsesi do t’i mungojë jetës akademike në Kosovë, duke pasur parasysh kontributin e tij në këtë aspekt”.

Sipas tij, Universiteti  ka humbur një profesor të çmuar, emri i të cilit do të ruhet në librat e tij nëpër bibliotekat universitare, nëpër duart e studentëve dhe studiuesve gjithandej. “Ai do të nderohet e respektohet si një nga personalitetet e shquara të Mitrovicës, e sidomos të Universitetit “Isa Boletini””, theksoi ai.

Për profesorin e ndjerë foli edhe dekani i Fakultetit Ekonomik, prof.dr. Qazim Tmava. Ai tha se profesor Tahiri shkoi në amshim në kulmin e karrierës akademike, duke lënë pas vetes një  bagazh të madh të punës shkencore dhe akademike. “Vdekja e  mori para kohe mikun tonë të çmuar,  një pedagog i mrekullueshëm,  profesor i pakrahasueshëm dhe studiues i thellë i ekonomisë, i cili kishte ende  edhe  shumë për të  dhënë në edukimin dhe  arsimimin e brezave të rinj, por edhe për ne kolegët e tij”.

Dekani Tmava theksoi se emri i të ndjerit ka zënë vend në mesin e atyre që kujtohen dhe respektohen, derisa të studiohet në Fakultetin Ekonomik  në Universitetin ‘’Isa Boletini’’ dhe jo vetëm. “Vdekja e profesorit Tahiri, është humbje e madhe  për të gjithë ne, por edhe detyrim i përhershëm yni, që të  ruajmë dhe respektojmë kujtimin për të, si  pedagog brilant dhe njeri me  virtyte të larta humane e ndershmërie”, tha ai.

Në emër të familjes, të pranishmit i përshëndeti vëllai i të ndjerit, Mustafë Tahiri. Ai falënderoi rektorin Musaj për organizmin dhe të pranishmit për pjesëmarrje. Në fund, rektori Musaj, ndau një mirënjohje postmortum për profesorin, Isa Tahiri.

Multidisciplinary International Conference on Geosciences- "GEOSCIENCES AND SUSTAINABLE DEVELOPMENT"
13-14 October 2022, Mitrovicë, Kosova

X