Gjirokastra

Marrëveshje Bashkëpunimi me Universitetin “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës

Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) do të bashkëpunoj me Universitetin “Eqrem Çabej”  të Gjirokastrës (UGJ) me qëllim të forcimit dhe zgjerimit të shkëmbimeve reciproke në projekte kërkimore, stafit akademik dhe studentëve. Për këtë qëllim të premten në UIBM, rektori, prof.dr. Alush Musaj dhe homologu i tij nga UGJ, prof.dr. Bektash Mema, nënshkruan një Marrëveshje Bashkëpunimi në emër të këtyre dy universiteteve.

Të dy palët shprehën zotimin që do të bëjnë çdo përpjekje për të forcuar kontaktet direkte dhe bashkëpunimin kërkimor midis anëtarëve të departamenteve dhe fakulteteve të tyre përkatëse. Në këtë kuadër, universitetet do të angazhohen së bashku për të forcuar dhe zgjeruar marrëdhëniet e tyre, që kanë të bëjnë me shkëmbimet reciproke dhe bashkëpunimin në projektet kërkimore në fushat e tyre respektive.

Në marrëveshje janë specifikuar edhe fushat e bashkëpunimit, ku ndër të tjera parashihet shkëmbimi i vizitave të anëtarëve të stafit didaktik dhe kërkimor, të cilat kanë për qëllim promovimin e seminareve, kurseve, konferencave, përgatitjen e projekteve kërkimore në kuadër të programeve të ndryshme dhe shkëmbimin e eksperiencave në fushat me interes të përbashkët. Po ashtu, në marrëveshje potencohet qarkullimi i botimeve, materialeve akademike dhe informacionit për fusha të caktuara studimore dhe kërkimore të përfshira në marrëveshje dhe që kanë interes të përbashkët, mandej  shkëmbim reciprok të pedagogëve si dhe kërkuesve dhe teknikëve për zhvillimin e aktiviteteve didaktike — shkencore të integruara.

Një tjetër pikë e rëndësishme, është shkëmbimi i studentëve pasuniversitarë dhe personelit kërkimor ndërmjet dy universiteteve me qëllim ndjekjen e seminareve, ekzekutim të ushtrimeve laboratorike dhe përgjithësisht në realizimin e kërkimeve me perspektivën e kryerjes së disertacioneve sipas planifikimit të dy universiteteve. Gjithashtu mëtohet të vihen në funksion bashkërisht kurse studimi, diplomimi, kurse për mësimdhënie, master, doktoratë të nivelit të parë ose të dytë me mundësinë e lëshimit të titujve të përbashkët.

Rektorët Musaj dhe Mema shprehën kënaqësinë e tyre për këtë Marrëveshje Bashkëpunimi ndërmjet UIBM dhe UGJ dhe u zotuan për të ofuar mbështetje të plotë për realizimin e saj.  Ndryshe në kuadër të delegacionit nga Shqipëria, ishte edhe prof.dr. Ilirjan Malollari, nga Universiteti i Shkencave të Natyrës në Tiranë, i cili mbajti edhe një ligjëratë me studentë dhe mësimdhënës të Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore.

 

 

Multidisciplinary International Conference on Geosciences- "GEOSCIENCES AND SUSTAINABLE DEVELOPMENT"
13-14 October 2022, Mitrovicë, Kosova

X