Tryeza Per Miniera

U mbajt tryeza për të tashmen dhe të ardhmen e sektorit minerar në Kosovë

Investimet e huaja direkte janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e industrisë minerare në Kosovë. Kështu u vlerësua në tryezën: “E tashmja dhe e ardhmja e sektorit të minierave në Kosovë – analizë e investimeve të huaja direkte (IHD)”, që u mbajt të enjten në Fakultetin e Gjeoshkencave në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM).

Ndër rekomandimet që dolën në fund, ishte edhe ai për drejtuesit e institucioneve, prej të cilëve u kërkua krijimi i konsensusit politik, zhbllokimi i të gjitha zonave për hulumtime, politika tatimore dhe ndarja e të ardhurave ndërmjet niveleve të ndryshme të qeverisjes. Gjithashtu u vlerësua shumë e nevojshme  që  të mblidhen të gjithë ata që vendosin për politikat minerare në vend për t’i dhënë udhë zhvillimit të mëtutjeshëm të sektorit minerar dhe tërheqjen e investimeve të huaja direkte.

Tryezën e hapi rektori i UIBM – së, prof.dr. Alush Musaj, i cili përgëzoi drejtuesit e Fakultetit të Gjeoshkencave për këtë organizim. Ai potencoi rëndësinë e zhvillimit të sektorit minerar në Kosovë, për duhet të shfrytëzohet ekspertiza akademike.

Dekani i Fakultetit të Gjeoshkencave, prof.dr. Naser Peci, tha se strategjia zhvillimore e sektorit minerar paraqet edhe sfidë ekonomike. “Imperativi duhet të jetë në drejtim të rritjes së produktivitetit në gjithë ekonominë përmes veprimeve që mund të nxisin konkurrencë efektive, duke zhvilluar fleksibilitet organizativ dhe të përshtatshëm si dhe ndërtimin e aftësive”.

Sa i përket investimeve të huaja direkte, ai tha se provat e reja tregojnë se në minierat e kombinuara me rritjen e të ardhurave valutore të jashtme mund të jenë katalizatorë për disa vende për të përmirësuar shkallën e kreditit dhe për të tërhequr fonde hua afatgjatë nga jashtë. “Rëndësia e bashkëpunimit në mes të Universitetit dhe palëve të interesit në sektorin minerar ka të bëjë me funksionin komplementar, si model botëror, ku në një rreth qëndrojnë të lidhura ngushtë prodhimi – shkenca – arsimi i lartë”.

 Panelistë në këtë tryezë, ku morën pjesë mësimdhënës, studentë dhe zyrtarë të insitucioneve lokale dhe qendrore ishin: Prof.dr. Kemajl Zeqiri nga Fakulteti Gjeoshkencave, Getoar Mjeku, zëvendësministër  i Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Skender Sallahu, shef  i Departamentit të Minierave në Ministrinë e Ekonomisë si dhe Gani Maliqi, anëtar Bordit në Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale.